Tren i spektakleve


Shkruan: Ardit Kika 

Në orën 07:50 udhëtarët hipin në tren. Nuk është treni që niset nga Beogradi për Mitrovicë, është treni që shkon nga Prishtina në Pejë. Treni çdo ditë niset në kohë dhe kontrollon rregullisht biletat ku shkruan “Hekurudhat e Kosovës, Kosovo Železnice, Kosovo Railways” që ta kujton se jemi në Kosovë, se këtu është shpallur njëfarë pavarësie dhe se paska ende ndërmarrje në pronësi publike. Dje më 14 janar një tren u nis nga Beogradi në Mitrovicën Veriore. I gjithë aspekti simbolik i këtij trenit ishte i planifikuar, ndoshta edhe reagimi i vonuar dhe i ashpër ndaj trenit të ketë qenë i tillë.

Mediat në Serbi e më pas edhe mediat në Kosovë fillojnë që në mëngjes të flasin për inaugurimin e trenit të udhëtarëve që niset nga Beogradi në Mitrovicë. Pas kësaj te publiku në Kosovë krijohet tension. Ngriten pyetje të thjeshta e legjitime. Ç’do bëhet me trenin? Do të ndalet te kufiri i Kosovës nga autoritetet doganore a policore apo do të mbërrijë në destinacion? Tri çështje është me rëndësi të shihen për t’i kuptuar strategjitë spektakël-prodhuese të trenit. E para “veshja e trenit”, e dyta mënyra e reagimit të Qeverisë së Kosovës dhe e treta regimi i Qeverisë së Serbisë.

“Veshja e trenit”

Treni nga jashtë i ka të shkruara fjalët “Kosova është serbe (Kosova është Serbi)” në 21 gjuhë botërore dhe nga brenda ka replikime të ikonave të kishave ortodokse të Kosovës. Në pamje të parë shihet se treni është i mirëplanifikuar nga qeveria serbe, me tekst dhe imazhe, investime që mbase kapin shumën e dhjetra mijëra eurove. Ky tren sipas kryenegociatores Edita Tahiri nuk u diskutua në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Reagimi i Qeverisë së Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se reagimi i qeverisë së Kosovës ka qenë i vonuar. Është e qartë se reagimi publik ka qenë i vonshëm dhe i vakët. Mirëpo nuk duhet ta heqim mundësinë se synimi ka qenë që të krijohet dyshja ankth-çlirim. Qeveria e Kosovës, duke përfshirë Isa Mustafën, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Ministrin e Transportit, Lutfi Zharku, ka qenë e informuar për nisjen e trenit. Koordinimi i tyre ka qenë që në opinion fillimisht të krijohet njëfarë ndjenje e pasigurisë në lidhje me atë se a do ndalet treni apo jo. Reagimi fillestar ishte si i Edita Tahirit: ” Sot kemi kërkuar nga BE-ja që ta ndal trenin ilegal të Serbisë në shtetin e Kosovës, të cilin Serbia e ka paralajmëruar për nesër, si një provokim të radhës për destabilizimin e situatës në Kosovë.”

Pra, reagim jo i ashpër dhe i vakët. Ky tekst nuk na bën me dije se treni do të ndalet në kufi, por kjo, në të vërtetë, dihet qysh herët. Mendoj se ka pasur konsensus paraprak në Qeveri që treni të ndalet, me rezervën e lajmërimit të BE-së dhe Sh.B.A-së. Me fjalë të tjera publiku futet në ankth duke e shtruar pyetjen se a e ka Qeveria e Kosovës zotësinë ta ndalë trenin. Në mes të gjithë atij ankthi del njësiti ROSU, i armatosur, i cili e kthen perceptimin e fuqisë dhe e sjell lehtësimin. Megjithëse është ngjarje që ka sjellë emocione të forta në opinion (duke e kthyer kujtimin e luftës së fundit); është e mundshme që ky ishte orkestrim ku dihet “refreni dhe përfundimi”.  Ky orkestrim nuk është spektakël i njëmendët. E përbashkëta e këtij orkestrimi me humorin dhe spektaklin është befasimi i publikut.

Reagimi i Qeverisë së Serbisë

Edhe Qeveria e Serbisë përafërsisht ka mund ta parashikojë reagimin e Kosovës në këtë rast. Mirëpo qëllimi i saj, ashtu si ai i Qeverisë së Kosovës, ka qenë të bëjë spektakël në një formë më radikale. Ajo që e bën radikal reagimin e Vuçiqit, i cili akuzon për minim të hekurudhës, është diskursi i tij: “Mos të tentojnë të sulmojnë me armë popullin serb të Kosovës e Metohisë, sepse Serbia këto sulme  nuk do t’i lejojë”.  Megjithëse në fillim të fjalimit deklaron: “Serbia dëshiron paqe” ky mbetet reagimi më i rrezikshëm dhe njëkohësisht edhe spektaklizues i situatave të krijuara për shkak të trenit. Akuza për minimin e hekurudhës, përmendja e dhunës së armatosur dhe e mbrojtjes janë elementet që e bëjnë këtë deklaratë tejet radikale.

Filozofi francez Guy Debord thoshte se spektakli nuk është një bashkësi e imazheve por është një marredhënie shoqërore ndërmjet njerëzve që ndërmjetësohet nga imazhet. Treni që u ndal në kufi nga njësia ROSU është dëshmi e interesimit të Qeverisë së Serbisë e pastaj edhe e Qeverisë së Kosovës për fabrikim të spektaklit. Dërgimi i njësitit ROSU në kufi dhe reagimi i Vuçiqit, edhe pse të palëve të kundërta, tregojnë se përpjekja e tyre është të bëhet bujë, nga kjo ngjarje, në mënyrë që krijohet unitet deri në uniformitet të opinionit publik. Janë imazhe të ngjashme që shfaqen në rrjete sociale te qytetarët e Kosovës, kujtimi i luftës, thirrja për bojkotim të produketeve serbe dhe fotografitë që e përshëndesin njësitin ROSU. Nuk ka ç’të mësohet nga kjo çështje, veçse  spektaklet e qeverive të tilla sjellin një unitet të opinionit publik (opinionit serb nga njëra anë dhe të opinionit kosovar nga ana tjetër) duke i neutralizuar si të parëndësishme të gjitha çështjet e tjera shoqërore.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s