Ne në Stacion(e)



Ne…ne…jemi të rëndomtë, jemi bar i Gjithësisë dhe krenohemi me këtë rëndomtësinë tonë, aq të   kudondodhur, dhe pandehim se në të mund të zerë vend gjithçka. Kjo është skema, me të cilën jemi nisur me guxim e ëndje për diku larg, në botë të tjera! Po ç’janë, vallë, këto botë të tjera? Ne i nënshtrojmë ato apo ato ne?
Solaris, Stanislaw Lem 

Pozitën e tij në kozmos, njeriu e ka gjurmuar që kur njeh kërshërinë. Pushtimi i hapësirës dhe hetimi i të panjohurave brenda saj ndonëse kanë krijuar ide jo tokësore dhe përftyrime të paarritshme, e kanë nxitur njeriun të udhëtojë drejt saj në mendje a në re, në anije kozmike prej kartoni apo me skanfandrën e qepur nga nëna.

Pamundësia e përllogaritjeve të sakta nuk i ka ndaluar krijuesit të prodhojnë histori fiktive nga më të pazakontat e që njerëzve u kanë dhënë ide si duken dhe cfarë i ndodh njeriut në këto hapësira kur ai i pushton. Libri Solaris i autorit polak Stanislaw Lem mëton të shtrojë disa ide të rëndësishme rreth pushtimit të gjithësisë nga njeriu. I ndërtuar mbi një strukturë filozofike me zhvillim të zymtë, dialogjet e personazheve nxjerrin rëndësinë që ka eksplorimi dhe absorbimi i botërave të reja por  në këto bashkëbiseda, autori  me ton ironik lëkund idetë e pamundësisë së të kuptuarit të vetës dhe njëri tjetrit pastaj cyt diskutime mbi padobinë e shkencës, filozofisë dhe religjionit, madje ato shpesh citohen si prova që nuk ofrojnë përgjigje të vërteta por vetëm spekulime të pafundta.

Nisur dhe frymëzuar nga ky libër, regjisori rus Andrei Tarkovsky në vitin 1972 nis personazhin e librit në të njëjtin planet, por ekspedita e tij nuk është zgjerim i shtrirjes së njeriut në univers por rrugëtim drejt vetës dhe paftësisë për ta kuptuar botën e brendshme njerëzore në një territor ku linja e paqartë mes realitetit dhe fantazisë përcakton gjithë tensionin narrativ. Planeti drejt të cilit ai niset është hapësirë inteligjente përtej kuptimit që njeriu mund t’i ngjesë; aty fenomenet e pazakonta u japin domethënie mendimeve të tij. Libri dhe filmi kanë të  përbashkët  barrierat komunikuese, planetet e huaja dhe pamundësinë për të mbajtur dhe shpëtuar njëri tjetrin por ndërkohë që Lem shtyen lexuesin të komunikojë me të jashtmen dhe krijesat e planetit, Tarkovsky shtyen shikuesit të drejtohen kah proceset e tyre te brendshme dhe frikën që shtrihet përposh.

tumblr_nsn5my3mon1r3owlzo4_1280.png

Tre shkencëtarët e dërguar me mision të zbërthimit shkencor të natyrës dhe veprimit të këtij planeti gjendën në një objekt inxhinierik- i pozicionuar mbi oqeanin e planetit. Ngjarja zhvillohet në një të ardhme përtej kontaktit ndijor normal sepse planeti ka “aftësi” të kapë kujtimet më të fuqishme dhe t’i kthejë ato në trajta njerëzore të çuditshme. Kthimi i gjurmëve më të qëndrueshme të kujtesës në forma që përkufizojnë proceset e sjelljes dhe mënyrën si do ndihen karakteret në këtë ekspeditë, e bëjnë këtë eksperiment hapësinor të ketë një baraspeshë tmerrësisht të paqëndrueshme dhe të papërballueshme për personazhet dhe shikuesin. Kësisoj, paramendimi më i natyrshëm i këtij dimensioni mund të jetë ai i një hapësire gravitacionale të ndërgjegjshme që njeriu kurrsesi s’mund ta kuptojë andaj edhe përfundon duke u  sorollatur kot nëpër korridet e anijes kozmike.

Duke dyshuar paksa në këtë tregim, Kelvinin e dërgojnë në stacionin hapësinor për t’u ndihmuar dhe për të vlerësuar gjendjen psikologjike të tre shkencëtarëve të tjerë por ai assesi nuk bindet nga natyra reflektuese e planetit madje ideja i duket qesharake dhe e pabesueshme në fillim.

tumblr_omn1ioVhE61qikbl7o10_500Nuk është hera e parë që në kinema personazhet çorientohen kur dërgohen në territore të pazakonta ku në vend se të mirren me natyrën e fenomeneve të caktuara përfundojnë duke i sqaruar hesapet me vetën! Përvojat dhe ballafaqimi me këto ambiente sikur i tjetërsojnë dhe u “ringjallin” materialet e shtypura, rifreskojnë atë që dikur është fshehur qëllimisht  dhe hedhin tek ta fillesa të reja.   Filmi “The Exterminating Angel” nga Bunuel paraqet një ngjarje të pabesueshme që zhvillohet pas një darke solemne, ku disa çifteve u dalin sheshit instinktet më primitive ndonëse nga mënyra si hanë dhe flasin ata duken mjaft të edukuar. Ngjashëm, filmi Lifeboat kapërcen nëpër dilemën e personazheve se kë duhet vrarë dhe kë duhet shpëtuar në një varkë menjëherë pas luftës së II-të botërore. Personazhet në rrethana të tilla humbasin ekuilibrin ngaqë nuk u mundësohet të arsyetuarit e saktë sepse çdo gjë zhvillohet në izolim: një planet i izoluar, stacion i izoluar, njerëz të izoluar… brenda mendjeve të tyre.

Kësisoj edhe mbërritja e gruas së Kelvinit në stacion (ndonëse ajo ka vdekur qe 10 vjet), nuk është pamje që Kelvini mund ta pranojë andaj edhe përgjigja ndaj paraqitjes së saj është impulsive. Kur ai mbyll Harin në një fluturake të vogël dhe e lëshon  për ta zhdukur, ai ndërmerr një hap prej një shtyse instinktive ndaj së kaluarës, një të vjetre ballafaqimin e së cilës ja ka frikën. Ai nuk mbyll Harin, por kopjen ekzakte te saj. Rikthimi i dytë i Harit me të njëjtin fizik, me të njëjtat rroba rivendos të menduarit tek Kelvini.
Pse vendos ta mbajë e mos ta zhdukë kopjen e saj, meqë ajo ka vdekur dhe se kujton të kaluarën e përbashkët në tokë? 

Mbase reagimi  i tij i parë është pamundësi për të reaguar dhe ndryshimi i sjelljes herën e dytë, është pasojë e zgjedhjes së parë. Në rrafshin frojdist: E shkuara i bën të vlefshme kërkesat e veta për të ardhmen.  Lumturia e kaluar e tij ruhet akoma tek e pandërgjegjshmja e cila vazhdon ta shqetësojë atë; aty janë të ruajtura fazat e shkuara të jetës ku dikur, bashkë, kanë pasur një lumturi të mirëfilltë. Kështu, Hari, në këtë ambient tejkalon paraqitjen e saj pamore sepse  rëndësia e saj rrjedh nga vlera e së vërtetës që ajo mbartte. Kthimi i saj shënon një mundësi për të rindërtuar dhe riorganizuar përmbajtjen e kësaj të kaluare me dikë që s’ka gjurmë çka ka ndodhur në këtë të kaluar. Duke iu orientuar së shkuarës përmes Harit, Kelvini synon nga e ardhmja. Kjo është pika e parë ku udhëtimi në vend se të ishte një vajtje për gjetje shkencore mbi natyrën e planetit shndërrohet në rrëfimin e krijimit të marrëdhënieve të ngushta duke e përdorur “Solarisin” për të ndihmuar dhe shpëtuar veten.

Kështu çfarëdo interpretimi që i bëhet të panjohurës brenda planetit, çfarëdo mjeti që ata përdorin për ta analizuar, mbetet sërish një mjet “shkencor” njerëzor. Madje edhe  gjuha që flasin solaristët mes vete për të shpjeguar karakterin e tij nuk i tejkalon termat: solar, gjelatinë, mrekulli intelektuale, hapësirë organike, tru aktiv që sado që shfaqin tiparet e tij prapë nuk mjaftojnë t’i ngjiten këtij planeti, pikërisht sepse janë terma tokësorë që dalin nga perceptimet dhe motivet e brendshme të tyre. Andaj karakteret mbesin të ndrydhur dhe të coroditur pa e kuptuar se kësaj hapësire as që i nevojitet përkthimi shqisor.

Ajo që sheh dhe kupton shikuesi nga mbërritja e gruas së Kelvinit nuk mbetet e tëra për t’u vendosur nga Kelvini, ndonëse është ai qe duhet të zgjedhë mes tablove: pamjen e qetë dhe peisazhet e bukura të ujit ku jeton familja e tij apo stacionin teknologjik dhe materializimin naiv të dashurisë së tij në një realitet tërësisht artificial. Udhëtimi shënon kthesën e dytë kur atij i duhet të vendosë mes pranisë së një asgjëje dhe mungesës së përjetshme të diçkaje.

Kujtojmë skenën finale të filmit Blowup të Antonionit ku kryepersonazhi në fund i bashkohet bandës së pantomimës në një lojë tenisi me top imagjinar. Kur aktorët gjuajnë topin larg fushës, ai ua hedh mbrapsht atë, shumë i bindur në hedhjen e një topi konkret. Në përfundim të skenës imazhi i tij zbehet përfundimisht nga fusha e blertë për të na treguar se realiteti që kemi parë ka qenë iluziv. Sipas pamjeve që shohim të dy personazhet vendosin të zgjedhin këto trajta imagjinare në realitetet e tyre vetëm se në Solaris fundi nuk shquhet qartë.

Një gjë është e sigurt: ky stacion nuk u përngjan atyre në tokë.
Mbërritja në këtë stacion përkundër mbërritjeve të zakonshme nuk është pikë që shërben për të mbërrirë në një lokacion tjetër, por për t’u kthyer prapa. Stacioni për Kelvinin është kthimi mbrapsht tek Hari e jo arritje tek shkenca. Udhëtimi dhe endjet nëpër gjithësi janë përpjekje prej të cilave mësojmë më pak për gjithësinë e më shumë për vetën. Jemi prerë të kthehemi në pikënisje; prapë tek njëri tjetri.

Filmi na tregon të vërtetën e vjetër: Misteret planetare mbesin të përjetshme, e ne do mbesim përherë në stacion(e). Do dërgojmë mendjet më të ndritura drejt fshehtësive, vetmisë dhe izolimit vetëm sa për të kuptuar që fillimisht ne s’njohim të fshehtat tona. 

 Blerta Haziraj

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s