Shoqëria bankare tregtare


Shkruan: Tana Shkodra

Aktorja e mirënjohur e shqeu reklamën në mes qytetit. E nënçmoi. Pastaj u shqye vetë gazit me të. Reklama e bankës Reiffeisen ishte në një letër të zezë. Konkursi për galerinë – apo me fjalët e bankës: pilot projekti – ishte i hapur deri më 20 shtator 2016. Punimet e artistëve të rinj do të ekspozoheshin në një vend përrallor. Kufirin dhe qendrën e shoqërisë së konsumit: në një qendër tregtare. Ama jo qendër do si do. Qendër në të dalë të qytetit se këto janë më seriozet -Albi Mall. Dikush tha, pse ta shqyente aktorja e mirënjohur reklamën? Qyteti u bë serioz vetëm kur u hap Albi Mall sepse të gjitha qytetet serioze kanë një „Mall“ të tyrin. Aty bëjnë magji kundër depresioneve dhe problemeve në çift. Mallet janë burim i lumturisë sepse kënaqësia është e lidhur me konsumin dhe për këtë tregtarët kanë nevojë edhe për pak art. Aktorja mendoi se përfitimi do të jetë i dyfishtë. Jo i dyanshëm. Shoqëritë kulturore artistike nuk mund të fitojnë asnjëherë në bukurinë shkatërruese të konsumit. Arti në shërbim të kapitalit nuk është i pavarur.

Historia e paragrafit të mësipërm nuk është e vërtetë. Aktorja nuk e shqeu reklamën. Por, përmbajtja e reklamës dhe organizimi i galerisë bëjnë pjesë në historinë e fillimvjeshtës së vitit 2016. Kurse kombinimi: bankë dhe tregti është lidhje që tashmë ka festuar shumë përvjetorë të bashkëjetesës. Reklamat për kredi konsumuese shfaqen si zgjidhja e vetme e ekzistencës. Ama ato shfaqen me dashuri. Pagat e ulëta?! Epo mirë, ato mund të zëvendësohen me kredi konsumatore. Buzëqeshje. Vazhdoni të bleni! E drejta për strehim? Bleni, bleni. Kemi këto kreditë për shtëpi. Derisa jeni të zënë me blerje ne mund të mendojmë për kredi studentore sepse arsimi nuk e ka ndërmend të bëhet falas. Ndërkohë që ju varfëroheni, ne mund të mendojmë për lloj – lloj kredish për të varfërit. Zëri i bankës është ngado. Kështu, ekonomia e Kosovës është e sigurtë. Stabile. Pa asnjë lidhje me mirëqenien e qytetarëve ama larg çdo bankroti dhe në rritje të milionave. Ekonomi për hir të rritjes ekonomike.

Po bankat këtë punë kanë. T’u japin kredi atyre prej të cilëve kthimin e kanë të sigurtë. Paratë do të shpenzohen tek partnerët e tyre tregtarë. Bankat nuk mund ta financojnë bujqësinë. Kjo mund ta zhvillonte një ekonomi të mirëqenies dhe jo thjesht të financializimit, por bujqit e Kosovës nuk mund të ofrojnë kolateral, nuk mund të ofrojnë pasqyra financiare e histori të biznesit. Kthimi i kredisë nuk është i sigurtë. Pse ta marrin bankat këtë rrezik duke ekzistuar të gjitha ato shoping malle e ndërtesa për t’u shitur? Për zonat rurale kreditë do t’i ofrojnë institucionet mikrofinanciare. Natyrisht, me kamata shumë më të larta. Por, kështu ndahet edhe tregu. Gjithçka mes privatëve, natyrisht. Problemet do të tejkalohen në emër të harmonisë së privatëve derisa të mos ekzistojë asnjë publike. Dikush një shërbim, dikush një kamatë. Së pari u shapallin luftë kompanitve publike e më pas i kthehen xhunglës së vet: secili për veti e kundër secilit.

Kështu, në fund të muajit shkurt 2017, pas kërkesave të katër kompanive private mikrofinanciare: “Moneta”, “Capital”, “Vllesa co” dhe “Propaid”, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kishte vendosur t’i shpallte të pavlefshme kontratat e kompanisë publike, Postës së Kosovës për dërgesat në komuna të ndryshme të Kosovës. Dhe këtu, fjala magjike e ekonomisë së mjerë, e famshmja konkurrencë, u aktivizua edhe një herë. Këtë herë, si arsyetim për të marrë këtë vendim, zbatimi i të cilit do të çonte në mbylljen e 43 filialeve – njësi publike të postës – për t’i hapur rrugë lulëzimit të institucioneve private financiare. Ky kujdes i Autoritetit të Konkurrencës i cili e ka marrë këtë vendim për hir të institucioneve mikrofinanciare, vjen pas kujdesit për bankat e mëdha e kompanitë e sigurimeve. Pasi dështoi që t’i hetojë, t’i bëjë të paguajë për marrëveshje për kamatat e larta, për zhvatje me shpejtësi të qytetarëve, (klientëve, sipas gjuhës bankare) po mundohet t’i mbyllë shtigjet publike e krejtësisht, të gjithë t’i dorëzohemi financializimit.

KAKK e pati marrë përsipër që t’i hetonte bankat miliardëshe e kompanitë milionëshe të sigurimeve. Por pasi i kishin dëbuar prej aty, ky autoritet ishte zbythur. Kështu, avantazhet konkurruese e dominimi i tri bankave mbeti i paprekur. Me rreth 70 përqind të aseteve të sistemit bankar të koncentrimit të tregut, ato diktojnë normën e kamatave, por këtu Autoriteti i Konkurrencës i çon duart përpjetë dhe i uron suksese kapitalit. Tek e fundit ç’të bëjë ky Autoritet për diçka që as Banka Qendrore nuk po vepron asgjë? Nuk po vepron madje as për pagesat e mëdha që qytetarët i bëjnë në emër të shërbimeve ditore.

Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2015, vlera e gjithsej aseteve të sistemit financiar të Kosovës arriti në 4.91 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.1 përqind (7.3 përqind në vitin 2014). Tash, pasi jemi siguruar që kapitali i këtyre kompanive gjigante qëndron i palëkundur, si duket koha është që t’i forcojmë edhe disa gjakpirës. Në emër të provizioneve, tërheqjes, mirëmbajtjes, pagesës nr. 1, nr. 2, pasqyrave, transaksionit, qarkullimit vjetor, mujor, e lloj lloj akrobacioneve që shpikën në emër të parave të imta që janë miliona, u mor edhe ky vendim që dëmton publiken e i leverdis dy – tre privatëve. Në emër të kamatave që s’kanë asnjë qëllim tjetër pos konsumit, vazhdon ekzistenca dhe puna e këtij autoriteti me fjalën qesharake që nuk i ka mbetur më asnjë iluzion: konkurrenca. Ndoshta KAKK nuk e ka për qëllim që t’ua shtrojë rrugën e pasurimit atyre që na flasin me gjuhën e njëjtë bankare, por qëndrojnë në kate më të ulëta, por pak rëndësi ka çfarë mendon, në krahasim se çfarë po bën në të vërtetë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s