Shoqëria bankare tregtare


Shkruan: Tana Shkodra

Aktorja e mirënjohur e shqeu reklamën në mes qytetit. E nënçmoi. Pastaj u shqye vetë gazit me të. Reklama e bankës Reiffeisen ishte në një letër të zezë. Konkursi për galerinë – apo me fjalët e bankës: pilot projekti – ishte i hapur deri më 20 shtator 2016. Punimet e artistëve të rinj do të ekspozoheshin në një vend përrallor. Kufirin dhe qendrën e shoqërisë së konsumit: në një qendër tregtare. Ama jo qendër do si do. Qendër në të dalë të qytetit se këto janë më seriozet -Albi Mall. Dikush tha, pse ta shqyente aktorja e mirënjohur reklamën? Qyteti u bë serioz vetëm kur u hap Albi Mall sepse të gjitha qytetet serioze kanë një „Mall“ të tyrin. Aty bëjnë magji kundër depresioneve dhe problemeve në çift. Mallet janë burim i lumturisë sepse kënaqësia është e lidhur me konsumin dhe për këtë tregtarët kanë nevojë edhe për pak art. Aktorja mendoi se përfitimi do të jetë i dyfishtë. Jo i dyanshëm. Shoqëritë kulturore artistike nuk mund të fitojnë asnjëherë në bukurinë shkatërruese të konsumit. Arti në shërbim të kapitalit nuk është i pavarur.

Historia e paragrafit të mësipërm nuk është e vërtetë. Aktorja nuk e shqeu reklamën. Por, përmbajtja e reklamës dhe organizimi i galerisë bëjnë pjesë në historinë e fillimvjeshtës së vitit 2016. Kurse kombinimi: bankë dhe tregti është lidhje që tashmë ka festuar shumë përvjetorë të bashkëjetesës. Reklamat për kredi konsumuese shfaqen si zgjidhja e vetme e ekzistencës. Ama ato shfaqen me dashuri. Pagat e ulëta?! Epo mirë, ato mund të zëvendësohen me kredi konsumatore. Buzëqeshje. Vazhdoni të bleni! E drejta për strehim? Bleni, bleni. Kemi këto kreditë për shtëpi. Derisa jeni të zënë me blerje ne mund të mendojmë për kredi studentore sepse arsimi nuk e ka ndërmend të bëhet falas. Ndërkohë që ju varfëroheni, ne mund të mendojmë për lloj – lloj kredish për të varfërit. Zëri i bankës është ngado. Kështu, ekonomia e Kosovës është e sigurtë. Stabile. Pa asnjë lidhje me mirëqenien e qytetarëve ama larg çdo bankroti dhe në rritje të milionave. Ekonomi për hir të rritjes ekonomike.

Po bankat këtë punë kanë. T’u japin kredi atyre prej të cilëve kthimin e kanë të sigurtë. Paratë do të shpenzohen tek partnerët e tyre tregtarë. Bankat nuk mund ta financojnë bujqësinë. Kjo mund ta zhvillonte një ekonomi të mirëqenies dhe jo thjesht të financializimit, por bujqit e Kosovës nuk mund të ofrojnë kolateral, nuk mund të ofrojnë pasqyra financiare e histori të biznesit. Kthimi i kredisë nuk është i sigurtë. Pse ta marrin bankat këtë rrezik duke ekzistuar të gjitha ato shoping malle e ndërtesa për t’u shitur? Për zonat rurale kreditë do t’i ofrojnë institucionet mikrofinanciare. Natyrisht, me kamata shumë më të larta. Por, kështu ndahet edhe tregu. Gjithçka mes privatëve, natyrisht. Problemet do të tejkalohen në emër të harmonisë së privatëve derisa të mos ekzistojë asnjë publike. Dikush një shërbim, dikush një kamatë. Së pari u shapallin luftë kompanitve publike e më pas i kthehen xhunglës së vet: secili për veti e kundër secilit.

Kështu, në fund të muajit shkurt 2017, pas kërkesave të katër kompanive private mikrofinanciare: “Moneta”, “Capital”, “Vllesa co” dhe “Propaid”, Komisioni i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, kishte vendosur t’i shpallte të pavlefshme kontratat e kompanisë publike, Postës së Kosovës për dërgesat në komuna të ndryshme të Kosovës. Dhe këtu, fjala magjike e ekonomisë së mjerë, e famshmja konkurrencë, u aktivizua edhe një herë. Këtë herë, si arsyetim për të marrë këtë vendim, zbatimi i të cilit do të çonte në mbylljen e 43 filialeve – njësi publike të postës – për t’i hapur rrugë lulëzimit të institucioneve private financiare. Ky kujdes i Autoritetit të Konkurrencës i cili e ka marrë këtë vendim për hir të institucioneve mikrofinanciare, vjen pas kujdesit për bankat e mëdha e kompanitë e sigurimeve. Pasi dështoi që t’i hetojë, t’i bëjë të paguajë për marrëveshje për kamatat e larta, për zhvatje me shpejtësi të qytetarëve, (klientëve, sipas gjuhës bankare) po mundohet t’i mbyllë shtigjet publike e krejtësisht, të gjithë t’i dorëzohemi financializimit.

KAKK e pati marrë përsipër që t’i hetonte bankat miliardëshe e kompanitë milionëshe të sigurimeve. Por pasi i kishin dëbuar prej aty, ky autoritet ishte zbythur. Kështu, avantazhet konkurruese e dominimi i tri bankave mbeti i paprekur. Me rreth 70 përqind të aseteve të sistemit bankar të koncentrimit të tregut, ato diktojnë normën e kamatave, por këtu Autoriteti i Konkurrencës i çon duart përpjetë dhe i uron suksese kapitalit. Tek e fundit ç’të bëjë ky Autoritet për diçka që as Banka Qendrore nuk po vepron asgjë? Nuk po vepron madje as për pagesat e mëdha që qytetarët i bëjnë në emër të shërbimeve ditore.

Sipas raportit vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës, në vitin 2015, vlera e gjithsej aseteve të sistemit financiar të Kosovës arriti në 4.91 miliardë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 8.1 përqind (7.3 përqind në vitin 2014). Tash, pasi jemi siguruar që kapitali i këtyre kompanive gjigante qëndron i palëkundur, si duket koha është që t’i forcojmë edhe disa gjakpirës. Në emër të provizioneve, tërheqjes, mirëmbajtjes, pagesës nr. 1, nr. 2, pasqyrave, transaksionit, qarkullimit vjetor, mujor, e lloj lloj akrobacioneve që shpikën në emër të parave të imta që janë miliona, u mor edhe ky vendim që dëmton publiken e i leverdis dy – tre privatëve. Në emër të kamatave që s’kanë asnjë qëllim tjetër pos konsumit, vazhdon ekzistenca dhe puna e këtij autoriteti me fjalën qesharake që nuk i ka mbetur më asnjë iluzion: konkurrenca. Ndoshta KAKK nuk e ka për qëllim që t’ua shtrojë rrugën e pasurimit atyre që na flasin me gjuhën e njëjtë bankare, por qëndrojnë në kate më të ulëta, por pak rëndësi ka çfarë mendon, në krahasim se çfarë po bën në të vërtetë.

Advertisements

Tren i spektakleve


Shkruan: Ardit Kika 

Në orën 07:50 udhëtarët hipin në tren. Nuk është treni që niset nga Beogradi për Mitrovicë, është treni që shkon nga Prishtina në Pejë. Treni çdo ditë niset në kohë dhe kontrollon rregullisht biletat ku shkruan “Hekurudhat e Kosovës, Kosovo Železnice, Kosovo Railways” që ta kujton se jemi në Kosovë, se këtu është shpallur njëfarë pavarësie dhe se paska ende ndërmarrje në pronësi publike. Dje më 14 janar një tren u nis nga Beogradi në Mitrovicën Veriore. I gjithë aspekti simbolik i këtij trenit ishte i planifikuar, ndoshta edhe reagimi i vonuar dhe i ashpër ndaj trenit të ketë qenë i tillë.
Continue reading “Tren i spektakleve”

Një zbritje nëpër vorbull


Kriza e refugjatëve i ofron Evropës një shans unik për ta ripërcaktuar vetën, për ta shënuar dallimin e saj nga të dy polet që e kundërshtojnë atë: neoliberalizmi anglo-sakson dhe ‘vlerat aziatike’- të kapitalizmit të injektuar autoritar. Ata që ankohen për rënien e vazhdueshme të Bashkimit Evropian duket se idealizojnë të kaluarën e saj – për BE-në ende ‘demokratike, për humbjen e së cilës atyre tani u vjen keq, që në fakt nuk ekzistonte kurrë. Politika e BE-së e kohëve të fundit është vetëm një përpjekje e dëshpëruar për ta bërë Evropën të arsyeshme përballë kapitalizmit të ri botëror. Kritika e zakonshme e të majtës liberale ndaj BE-së se kjo gjë në thelb është në rregull, se është vetëm diçka në lidhje me “deficitin demokratik” – e tradhëton të njëjtin naivitet sikur kritikët e vendeve ish-komuniste të cilët në thelb e mbështesnin atë, porse ankoheshin për mungesën e demokracisë. Në të dy rastet, megjithatë, këto kritika miqësore nuk arritën të kuptojnë se ‘deficiti i demokratik’ ishte i nevojshëm, pjesë ndërtuese e strukturës. Continue reading “Një zbritje nëpër vorbull”

Njeriu i vogël dhe Kadri Veseli


Glauk Tahiri
14.12.2014

Duke qenë se jetojmë në kohëra ku punëtori është bërë i tepërt, por jo edhe puna, të gjithë e kemi parasysh punëtorin që ngutet të mbërrijë në punë me kohë. Alarme dhe familjarë që përkujdesën për një zgjim të hershëm të tij, vetëm dhe vetëm që ai të mbërrijë në kohë të saktë në vendin e tij të punës. Ky punëtor, edhe pse është i mbërthyer me të drejta, e në rastin më të mirë ka edhe kontratë, kur vjen puna tek koha, i zotëron disa përdorime të saj si : kohën e punës, kohën e pauzës, kohën e punës shtesë, kohën e kamatës, kohën e harxhuar, kohën e kursyer, kohën e blerjes dhe kohën e lirë, gjithmonë si sinonime për paranë, për të cilën edhe thuhet se paguhet.

Për këtë punëtor pra, është aq e rëndësishme të arrijë në vendin e punës, saqë kur merr veturën apo ndonjë taksi, ai paguan deri në trefishin e shumës që ai fiton për një orë në vendin e punës. Ta zëmë pra, nëse me një rrogë prej 250 eurosh një punëtor duhet të punojë 8 orë në ditë, atëherë i bjen që të paguhet diku rreth 1.42 cent për një orë pune, dhe me këtë shifër, në një mëngjes të vonuar  punëtorit tonë, taksia  apo transporti me veturë, i merr atij të paktën 1.50 euro. Nga ky kalkulim del se punëtori për t’i fituar 1.42 cent, apo një orë pune, shpenzon dyshin e një ore punë, në mos më shumë për ta arritur një orë pune.

Continue reading “Njeriu i vogël dhe Kadri Veseli”

Testamenti i doktor Aganit


Njerëzit sëmuren për çdo ditë dhe hapi i parë drejt pragut të doktorit nënkupton se dikush është shtyre rëndë nga dëshpërimi ta bëjë një kontrollë tek doktori; do të thotë se ai më parë ka provuar çdo medikament që ka gjetur në shtëpinë e tij; do të thotë se ka provuar çdo këshillë që i është përcjellur nga të afërmit e tij: nga çaji deri tek ushqimet me shumë yndyrë, pa harruar peshqirin e bardhë sipër fytyrës të përcjellur me një plaf të trashë nën të cilin një shishe me ujë të nxehtë, do t’i vihet dhunshëm trupit të tij.

Këta njerëz, në rast se e përballojnë dhimbjen gjatë natës, ia mësyjnë me mëngjes pragut të doktorit për tu kontrolluar e mjekuar. Doktori nga ana e tij, është mësuar me pacientë dhe vështirë se habitet kur i takon ata. Atij në fund të fundit profesioni ia dikton se nuk ka njerëz të shëndetshëm, por vetëm njerëz më pak ose më shumë të sëmurë, dhe duke qenë kështu, përse t’iu thotë ai pacientëve që sëmundja apo ftohja e tyre nuk është serioze, kur në fund të fundit ata do të gëzoheshin aq shumë saqë nuk do e besonin as vetë?  Përse t’i gënjejë doktori pacientët e tij? Mos vallë rendi i pacientëve është aq i gjatë jashtë zyrës saqëduhet krijuar hapësirë për pacientët që janë më shumë të sëmurë? Continue reading “Testamenti i doktor Aganit”